Rëndësia e Policës së Sigurimit të Jetës dhe të Pronës? Përse bankat i kërkojnë me domosdoshmëri?

Sigurimi është një formë e transferimit të risk-ut nga klienti tek shoqëria e sigurimit. Në këtë mënyrë, sigurimet reduktojnë barrën financiare dhe lehtëson vazhdimësinë e jetës së familjes pas ndodhjes së një fatkeqësie dhe kanë një impakt të rendesishëm social pasi ulin kostot individuale dhe publike në rast të ndodhjes të fatkeqesive.

Në rast humbje të jetës së klientit huamarrës ose të paaftësise së plotë të përhershme të tij për punë, kompania e sigurimit dëmshpërblen bankën për shumën aktuale të kredisë deri në atë moment, dhe banka cliron nga barra hipotekore garancitë përkatëse. Në këtë rast familja e humarrësit është e mbrojtur nga detyrimet e mëtejshme bankare.

Ndërsa në rastin e sigurimit të një kredie për shtëpi, është po në interesin e bankë që të sigurojë pagesën e kësteve të huasë në mënyrë të rregullt, dhe faktorët që do të ndikonin në pamundësinë e klientit për kthimin e huasë ose të bankës për ekzekutimin e kolateralit mund të ishin dhe humbja totale e banesës nga zjarri ose tërmeti.

Këto do të ishin edhe sigurimet bazë që banka do të kërkonte të kryheshin në mënyrë të detyrueshme për të mbrojtur interesin e saj në huanë e dhënë dhe objektin e huasë.

Ndërkohë, mund të ketë edhe dëmtime të tjera si psh: dëme të pjesshme në banesë nga zjarri, rrjedhja e ujit, thyerja e xhamave, ose dëmtime të pjesshme trupore të vetë huamarrësit, të cilat megjithëse prekin interesat e klientit, nuk janë të tilla që të ndikojnë në aftësinë e tij për të paguar huanë. Për këto lloje rreziqesh klienti mund të kryejë sigurime plotësuese, por nuk do të ishin të detyrueshme.